Monday, September 28, 2026
spot_img
HomeLajmeDeliu-Kodra i kërkon Gërvallës ta procedojë në Qeveri Projektligjin për Dhomat e...

Deliu-Kodra i kërkon Gërvallës ta procedojë në Qeveri Projektligjin për Dhomat e Specializuara

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka kërkuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, që të procedojë në Qeveri Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Deliu-Kodra, përmes një postimi, ka thënë se 99 deputetë të Kuvendit, nga parti të ndryshme politike, e kanë mbështetur sot me votë një deklaratë në lidhje me luftën e UÇK-së dhe katër ish-krerët e saj që po gjykohen në Hagë.

Sipas saj, kjo votë duhet të pasohet me veprime institucionale.

“Donikë, i ke 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë politike, që me votën e tyre të lirë dhe unanime janë bashkuar në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe në mbështetje të katër ish-udhëheqësve të saj në Hagë”, ka shkruar ajo.

Deputetja e PDK-së ka kërkuar nga Gërvalla që Projektligji të mos mbetet pezull dhe të dërgohet sa më shpejt në Qeveri, në mënyrë që më pas të procedohet në Kuvend.

“Kuvendi dhe deputetët e bënë pjesën e tyre. E dëshmuan vullnetin politik me votë. Bëje edhe ti pjesën tënde si Ministre e Drejtësisë: procedoje Projektligjin në Qeveri, që ai të vijë menjëherë në Kuvend për votim”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ajo ka thënë se deklaratat politike duhet të shoqërohen me hapa konkretë institucionalë.

Në fund, Deliu-Kodra ka paralajmëruar se në rast se vendi shkon në zgjedhje pa iu dhënë Kuvendit mundësia për ta shqyrtuar dhe votuar Projektligjin, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij, sipas saj, duhet të jetë e qartë.

“Sille ligjin, Donikë!”, ka përfunduar ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT