Në bllokun e parë të Kosova Today u diskutua lidhur me situatën politike dhe koalicionet mundshme mes partive politike.
Gazetari i Klan Kosovës Ardian Gaxherri, e sheh vështirë të arritshme një konsensus mes partive politike.
Ai deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka dy vite që ka mundësi të bëjë kompromis për konsolidimin e institucioneve shtetërore.
“Kjo është më se e qartë që z. Kurti po dëshiron pushtet absolut, zvarritje shtetërore apo stagnim shtetëror. Kjo është dilema ime që e kam”, u shpreh Gaxherri.
Kurse redaktori i portalit Klankosova.tv Naim Sadiku, u shpreh se qëndrimet e betonizuara të partive politike, i ka rritur zhgënjimet te qytetarët.
“Tek e fundit bëhet fjalë për bashkëpunim mes partive shqiptare, të cilat secila ka kontribut edhe në lirinë e vendit edhe në shtetndërtim edhe në demokraci edhe në këto vlera që i ka përqafuar shoqëria e Kosovës”, tha Sadiku.
E opinionisti Mentor Nazarko, foli rreth disa mundësive që i ka humbur Kosova, si shkak i mungesës së institucioneve.
“Ju e dini që vetëm sot, ka humbur mundësinë e përfaqësimit në Samitin e NATO-s që zhvillohet në Turqi, ku do të jetë z. Trump me gjithë kundërshtitë e veta. Në qoftë se Kosova do të kishte institucione, në qoftë se Kosova nuk do të ishte “ai shteti i largët i paqësorit” me ushtruesa detyre në të gjitha nivelet, Kosova do të ishte në një samit të tillë të rëndësishëm”, deklaroi ai në Klan Kosova.


