Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se samiti i kësaj jave midis Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor synon të tregojë se mundësia për zgjerim të BE-së është reale.
Duke folur në Bosnje dhe Hercegovinë në fillim të një turi para samitit në Ballkanin Perëndimor, Costa theksoi se në një kohë pasigurie gjeopolitike globale dhe paqëndrueshmërie ekonomike, “zgjerimi është një interes gjeostrategjik për Evropën”, raportoi AP.
“Ai (zgjerimi) është një investim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, ka thënë Costa. “Ky turne është një shenjë e qartë se angazhimi i Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor është real. Po aq reale është edhe mundësia për zgjerim”.
Costa do të bashkëkryesojë samitin në Mali të Zi të premten, ku do të marrin pjesë liderët e BE-së dhe zyrtarët më të lartë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.
Sipas tij, ngjarja e së premtes do të jetë “një demonstrim i qartë i vendosmërisë sonë për të avancuar bashkëpunimin dhe për të ndërtuar mbi momentumin e zgjerimit të Bashkimit Evropian”.
Këto gjashtë vende ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit, me Malin e Zi dhe Shqipërinë që konsiderohen si më të avancuara në rrugën drejt integrimit. BE-ja, në periudhën e fundit, ka intensifikuar përpjekjet për nxitjen e reformave në vendet kandidate, mes shqetësimeve për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Edhe Ukraina dhe Moldavia janë ndër vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Vendet kandidate duhet të harmonizojnë legjislacionin e tyre me standardet e BE-së në 35 fusha, që përfshijnë nga drejtësia deri te bujqësia dhe peshkimi. Çdo hap i procesit kërkon miratimin e të gjitha 27 shteteve anëtare të BE-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


