Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Presidenti i Kosovës duhet të jetë figurë që përfaqëson unitetin e vendit dhe jo interesat e një partie politike.
Tahiri ka deklaruar se AAK-ja nuk do ta mbështesë zgjedhjen e Presidentit pa një pozicion konsensual, duke paralajmëruar se do të angazhohen kundër, siç e quajti ai, kthimit të Kosovës në “parti-shtet”.
“Presidentin nuk do ta marrë pa pasur një pozicion konsensual, pa marrë parasysh kush çfarë pozicioni ka, për shkak se ajo është një figurë që duhet të reflektojë unitetin dhe jo partinë. Ne do të punojmë që të pengojmë kthimin e Republikës së Kosovës në parti-shtet”, tha Tahiri.
Ai është shprehur skeptik edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar.
“Qysh mundet me pasur marrëveshje politike kur nuk ka Kuvend të konstituum. Mbi çfarë logjike mund të arrihet një marrëveshje politike kur neve na u ka parandalu hyrja në Kuvend dhe Kuvendi nuk ekziston i konstituar, mbi çfarë baze”, deklaroi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


