Prioriteti strategjik i Kosovës duhet të jetë shfrytëzimi i vështirësive të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për t’u paraqitur si një shtyllë stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkan, ka vlerësuar Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve.
Sipas tij, pas takimeve të Kurtit në Paris dhe Londër, tani është momenti për kryeministrin që të stabilizojë situatën në Kosovë.
“Prioriteti strategjik i Kosovës duhet të jetë pikërisht shfrytëzimi i vështirësive të Vuçiqit për t’u shfaqur si një shtyllë stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkan. Pas takimeve të tij në Paris dhe Londër, tani është momenti për kryeministrin Albin Kurti që ta stabilizojë situatën në Kosovë”, ka thënë Joseph.
Ai thekson se Kurti duhet të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe të bashkëpunojë me opozitën për një zgjidhje kompromisi për presidentin.
Po ashtu, Joseph ka theksuar nevojën për angazhim konkret ndaj komuniteteve joshumicë.
“Ai duhet t’i vizitojë serbët dhe të deklarojë angazhimin e tij të plotë, se shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tjera do të vazhdojnë pa ndërprerje, derisa institucionet dikur serbe të integrohen në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai pë rel.
Sipas tij, situata aktuale krijon mundësi për Kosovën, në kohën kur Vuçiq përballet me një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga Bashkimi Evropian.
“Ndërsa Vuçiq përballet me një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga BE-ja – ku ai nuk e gëzon më mbrojtjen e Viktor Orbanit – Kurti mund ta shfrytëzojë këtë situatë”, ka theksuar ai.
Tutje, Joseph ka vlerësuar se ky është momenti për të vendosur interesat e Kosovës në plan të parë dhe për të dëshmuar kapacitet shtetëror si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


