Komisioni Evropian ka deklaruar të premten se u takon autoriteteve serbe të vendosin se çfarë roli do të luajnë në funeralin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, por ka theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane.
Bashkimi Evropian, me rastin e vdekjes së Mlladiçit, tha se ai ishte kriminel lufte që po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Srebrenicë.
“Komisioni Evropian beson se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe nuk ka vend në BE ose në vendet kandidate për në BE”, tha Komisioni Evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
BE-ja ka theksuar gjithashtu përgjegjësinë e institucioneve serbe lidhur me funeralin e Mlladiçit, i cili vdiq në Hagë të enjten.
“Nëse Ratko Mladiç varroset në Serbi, u takon autoriteteve serbe të konfirmojnë çdo rol që mund të kenë në organizimin ose varrimin aktual të Ratko Mladić”, tha Komisioni Evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Mlladiq pritet të varroset në Serbi. Ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiç, njoftoi po atë ditë se ai do të varroset me nderime të plota shtetërore.
Për vite me radhë, Mlladiq ishte ndër të arratisurit më të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Ai qëndroi në arrati për gati 16 vjet, pasi u padit nga Tribunali i Hagës në vitin 1995.
Mlladiq u arrestua më 26 maj 2011, në fshatin Lazarevo, pranë Zrenjaninit në Serbi, në një operacion të shërbimeve serbe të sigurisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


