Një 31-vjeçar nga Swindon i Anglisë është paraqitur në gjykatë në Londër, nën akuzën se ka ndihmuar një grup të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse në planifikimin e sabotimit të fabrikave të dronëve.
Joshua Cammidge është akuzuar në bazë të Ligjit britanik për Sigurinë Kombëtare për ndihmë ndaj një shërbimi të huaj inteligjence dhe për veprime përgatitore për sabotazh.
Prokuroria pretendon se Cammidge ka dërguar pamje nga Google Maps me lokacionet e katër objekteve të prodhimit të dronëve në Swindon dhe ka dhënë informacione për aktivitetet në njërin prej tyre. Po ashtu, ai dyshohet se ka kryer vëzhgime në terren dhe ka hulumtuar pajisje për bllokimin e sinjaleve Wi-Fi.
Sipas autoriteteve britanike, Cammidge dyshohet se ka komunikuar me një person të lidhur me të ashtuquajturin GRU Volunteer Corps, grup të cilin Britania e përshkruan si të kontrolluar nga shërbimi ushtarak rus GRU.
Prokuroria pretendon gjithashtu se 31-vjeçari ishte i gatshëm të kryente vetë një akt sabotazhi ndaj një objekti të prodhimit të dronëve.
Cammidge nuk ka dhënë deklaratë për akuzat gjatë paraqitjes së tij në Westminster Magistrates’ Court dhe është lënë në paraburgim. Çështja pritet të shqyrtohet më 25 shtator në Old Bailey, gjykata kryesore penale e Londrës.
Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës ka theksuar se procedurat janë aktive dhe se i akuzuari gëzon të drejtën për një gjykim të drejtë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


