Një 31-vjeçar britanik është arrestuar dhe akuzuar se dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse, duke u përcjellë informacione mbi fabrikat britanike të prodhimit të dronëve dhe duke ofruar të kryente vetë një akt sabotimi.
Joshua Cammidge, nga Swindon në jug të Anglisë, është paraqitur në gjykatë në Londër, ku përballet me dy akuza në bazë të Ligjit britanik për Sigurinë Kombëtare (National Security Act): ndihmë ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës dhe përgatitje për kryerjen e sabotimit.
Sipas prokurorisë, Cammidge dyshohet se u ka dërguar personave të lidhur me inteligjencën ruse pamje nga Google Maps, përmes të cilave kishte identifikuar një fabrikë dronësh dhe katër objekte të tjera të lidhura me prodhimin e tyre në Swindon.
Ai akuzohet gjithashtu se ka ofruar të kryente personalisht një akt sabotimi, ndërsa dyshohet se kishte kërkuar informacione për një pajisje që mund të bllokonte sinjalet Wi-Fi. Prokuroria thotë se 31-vjeçari kishte vizituar dhe vëzhguar fizikisht objektet që dyshohet se ishin në shënjestër.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS), kontakti i dyshuar i Cammidge ka qenë me një person që besohet të ketë lidhje me GRU Volunteer Corps, grup të cilin prokurorët e përshkruajnë si të kontrolluar nga GRU-ja, agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë.
Veprimet e dyshuara besohet se kanë ndodhur nga fundi i marsit deri në fillim të shtatorit të këtij viti, transmeton Telegrafi.
Frank Ferguson, kryeprokuror në Divizionin e Krimeve të Posaçme dhe Kundër Terrorizmit të CPS-së, tha se vendimi për ndjekjen penale u mor pas një hetimi të kryer nga Policia Kundër Terrorizmit.
“Prokurorët tanë kanë punuar për të përcaktuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjykatë dhe se ndjekja penale është në interesin publik”, deklaroi Ferguson.
Cammidge nuk pranoi të deklarohej fajtor apo i pafajshëm gjatë paraqitjes në Gjykatën e Westminsterit dhe u la në paraburgim.
Çështja është transferuar në Old Bailey, gjykata qendrore penale e Londrës, ku seanca e radhës është caktuar për 25 shtator.
Akuzat ndaj 31-vjeçarit vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë mbeten të tensionuara, pas një serie incidentesh që kanë përkeqësuar raportet mes dy vendeve.
Ndër rastet më të njohura janë helmimi i Alexander Litvinenkos në vitin 2006 dhe sulmi me agjent nervor në Salisbury në vitin 2018, ku u shënjestrua ish-oficeri rus i inteligjencës Sergei Skripal.
Britania ka qenë gjithashtu një prej mbështetësve më të rëndësishëm evropianë të Ukrainës që prej pushtimit rus të vitit 2022.
Në këtë kontekst, Swindon është shndërruar në një qendër të rëndësishme për prodhimin e dronëve ushtarakë në Britani, duke e bërë infrastrukturën e lidhur me këtë industri potencialisht me interes për aktorë të huaj.
Akuzat ndaj Cammidge do të shqyrtohen tashmë nga drejtësia britanike, ndërsa ai konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet fajësia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


