Sunday, June 14, 2026
spot_img
HomeLajmeBritania ndalon një cisternë të “flotës në hije” ruse në Kanalin Anglez

Britania ndalon një cisternë të “flotës në hije” ruse në Kanalin Anglez

Forcat e armatosura britanike kanë ndaluar një anije cisternë nafte që dyshohet se i përket të ashtuquajturës “flotë në hije” ruse, gjatë një operacioni në Kanalin Anglez në orët e para të së dielës.

Sipas njoftimit të kryeministrit britanik Keir Starmer, operacioni ka zgjatur rreth gjashtë orë dhe është realizuar nga Komandot e Marinës Mbretërore, së bashku me oficerë të Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit, të mbështetur edhe nga forcat ajrore britanike RAF.

Gjatë ndërhyrjes, forcat britanike hipën në anijen cisternë “Smyrtos”, e cila tashmë do të mbahet nën monitorim në brigjet jugore të Anglisë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.

Kryeministri Starmer e ka cilësuar operacionin si një goditje ndaj Rusisë dhe përpjekjeve për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, duke theksuar se Londra nuk do të lejojë që aktivitete të tilla të kalojnë pa reagim.

Edhe Sekretari i Mbrojtjes, Dan Jarvis, ka deklaruar se Rusia mbështetet në këtë lloj flote për të financuar luftën në Ukrainë, ndërsa ndalimi i anijes përbën një goditje ndaj këtyre operacioneve të paligjshme.

Operacioni është mbështetur edhe nga avionë patrullues detarë P-8, si dhe anijet luftarake HMS “Sutherland” dhe HMS “Ledbury”.

Rusia, sipas autoriteteve perëndimore, ka përdorur prej kohësh një “flotë në hije” me struktura të paqarta pronësie për të shmangur sanksionet mbi eksportet e saj të naftës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT