Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Avdirrahman Gashi, pas arrestimit të tij nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 371-të të KGJK-së, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Sipas njoftimit zyrtar, pas shqyrtimit të rastit disiplinor është themeluar paneli hetimor, ndërsa gjyqtari është pezulluar nga detyra deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Më 15 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar Gashit masën e paraburgimit prej një muaji. Ky vendim më pas ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Rasti ndaj gjyqtarit është nën hetim, ndërsa ai gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


