Tuesday, June 9, 2026
spot_img
HomeLajmeBritania i jep ultimatum Apple dhe Google për bllokimin e imazheve nudo...

Britania i jep ultimatum Apple dhe Google për bllokimin e imazheve nudo në telefona

Qeveria britanike i ka lëshuar një ultimatum të prerë kompanive Apple dhe Google për bllokimin e imazheve nudo në telefonat inteligjentë, me qëllim mbrojtjen e të miturve.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, u ka kërkuar zyrtarisht këtyre kompanive që të përditësojnë softuerët e tyre për të parandaluar personat nën 18 vjeç nga shkarkimi apo dërgimi i përmbajtjeve seksuale.

Starmer ka deklaruar se kjo nuk është një sfidë e pamundur për kompanitë teknologjike dhe se ato duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë. Ndërkohë, autoritetet britanike kanë bërë të ditur se do të miratojnë një ligj të rreptë që do t’i detyrojë gjigantët teknologjikë të zbatojnë këto masa, nëse nuk veprojnë vullnetarisht brenda tre muajve.

Sipas planit, legjislacioni i ri do të prekë si prodhuesit e sistemeve operative, ashtu edhe shitësit me pakicë, pa kufizuar përdorimin e pajisjeve nga të rriturit.

Pas këtij presioni, Google ka reaguar duke thënë se është thellësisht e përkushtuar për mbrojtjen e fëmijëve dhe se po bashkëpunon me autoritetet britanike për gjetjen e zgjidhjeve efektive.

Shifrat e fundit qeveritare në Britani janë vlerësuar alarmante, pasi tregojnë se një pjesë e madhe e materialeve të abuzimit online krijohen nga vetë fëmijët, të cilët ekspozohen ndaj pornografisë që në moshë të hershme.

Ky vendim vjen në një kohë kur qeveria britanike po përgatit edhe masa të tjera për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale. Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka deklaruar se kompanitë kanë një detyrim moral për të vepruar, duke paralajmëruar gjoba dhe masa ligjore në rast mosveprimi.

Ekspertët vlerësojnë se ky hap i Britanisë mund të shërbejë si model i ri për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijëve në nivel global.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT