Numri i të vdekurve nga përmbytjet katastrofike në Nepal ka shkuar në 616, ndërsa rreth 2,000 persona rezultojnë ende të zhdukur, kanë bërë të ditur autoritetet në Nepal.
Kryqi i Kuq ka njoftuar se të paktën 93 mijë persona mund të jenë prekur nga përmbytjet e fuqishme që goditën të mërkurën zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar në përmasa të mëdha, por po pengohen nga frika e përmbytjeve të reja dhe vështirësitë për të arritur në disa prej zonave më të goditura.
Rrugët dhe urat janë shkatërruar nga rrjedhat e fuqishme të ujit, duke izoluar komunitete të tëra.
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), rrjeti më i madh humanitar në botë, ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi disa prej zonave më të prekura mbeten ende të paarritshme.
“Trauma e shkaktuar nga kjo fatkeqësi është jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë të premten David Fisher, drejtuesi i delegacionit të IFRC-së në Nepal. “Mijëra banesa janë shkatërruar ose kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Besojmë se të paktën 93 mijë persona janë prekur dhe kanë nevoja të mëdha për ndihmë. Numri i viktimave është shumë i lartë dhe, fatkeqësisht, pritet të vazhdojë të rritet”.
Përmbytjet vdekjeprurëse nisën të mërkurën në mëngjes, pasi një masë e madhe akulli nga një akullnajë në Himalaje u shkëput dhe ra në luginë, në zonën e Parkut Kombëtar Langtang në Nepal.
Rënia e masës së akullit shkaktoi një vërshim të jashtëzakonshëm uji, balte, shkëmbinjsh dhe akulli, i cili u përhap me shpejtësi përgjatë lumenjve dhe luginave.
Përmbytjet shkatërruan fshatra, si dhe dëmtuan rëndë apo shkatërruan centrale elektrike, rrugë dhe ura.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


