Ushtria amerikane njoftoi të martën se dhjetëra anije tregtare që po përpiqeshin të hynin ose të largoheshin nga portet iraniane janë ridrejtuar, ndërsa Uashingtoni vijon zbatimin e bllokadës detare kundër Iranit.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së , 65 anije tregtare janë ridrejtuar dhe katër të tjera janë çaktivizuar në kuadër të operacionit ushtarak në rajon.
“USS Abraham Lincoln (CVN 72) vazhdon operacionet në Detin Arabik, duke përfshirë zbatimin e bllokadës amerikane kundër Iranit”, thuhet në një deklaratë të CENTCOM të publikuar në platformën X.
Tensionet në rajon u rritën ndjeshëm pasi SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ajrore ndaj Iranit, duke nxitur kundërpërgjigje iraniane ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani hyri në fuqi më 8 prill, por bisedimet e zhvilluara në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje të përhershme.
Më vonë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi do të mbetet në fuqi për një periudhë të pacaktuar, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme ushtarake dhe kufizimeve detare në rajonin e Gjirit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


