Opinionisti Dardan Sejdiu sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur lidhur me garën për numra rendor në listat e partive politike.
Ai tha se anëtarët e subjekteve si Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët kanë përvojë dhe ndikim politik, e kuptojnë se numrat në zgjedhje nuk janë elementi kryesor.
Ai përmendi edhe ish-deputeten Hykmete Bajrami, duke thënë se numri i votave që ajo mund të marrë nuk ka ndikimin, por sipas tij, rëndësi ka sa vota arrin të sigurojë vetë LDK-ja si parti.
“Unë mendoj që secili, e sidomos anëtarët e partive të tjera, PDK, LDK, që kanë bagazh politik, rrjet dhe kanë arritur të ndërtojnë parti politike me subjektet e tyre, duhet në një formë ose tjetër ta kuptojnë, edhe në fakt e kuptojnë ata që numrat nuk janë relevantë në votën që e marrin”.
“Me përmbushë më shumë egon e vet, sa jam unë i rëndësishëm unë për subjektin, sesa që ka me pasë ndikimin për shembull sa vota i merr Hykmete Bajrami. Absolutisht 0 ndikim ka sa vota i merr Hykmete Bajrami. Por, ka ndikim sa mund t’i marrë LDK-ja edhe në PDK prapë nëse e gjejmë një sinonim, nëse hyjmë në një betejë të kësaj natyre, duke u marrë me një simbolik e cila kurrfarë peshe elektorale nuk ka, përveçse me kriju përshtypjen që brenda subjektit ka njerëz të pakënaqur”, tha ai./Klankosova.tv


