Shtetet e Bashkuara do t’ia vendosin Iranit “sanksionet më të ashpra në histori”, tha të enjten sekretari i Thesarit, Scott Bessent, duke e nënvizuar fokusin te masat ekonomike për të cilat sugjeroi se do ta zvogëlojnë nevojën për operacione të reja ushtarake kundër Teheranit.
Deklarata e tij erdhi pas kërcënimit të presidentit Donald Trump një ditë më parë për “luftë ekonomike” dhe paralajmërimit për pasoja ekonomike kundër cilitdo shtet që i ofron “ndonjë linjë jetese Iranit”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Çmimet e naftës u rritën në pikën më të lartë në tri javët e fundit të enjten pas kërcënimeve të Uashingtonit për ndëshkime financiare që do ta kishin për qëllim përfundimin e luftës gati gjashtëmujore, që ka lënë të ngujuara miliona fuçi me naftë nga Lindja e Mesme.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani dy herë kanë njoftuar marrëveshje armëpushimi, në prill dhe qershor, me qëllim të rikthimit të rrjedhjes së lirë të transportit detar nëpër Ngushticën e Hormuzit, por të dyja paktet dështuan shpejt.
Para se të fliste sekretari Bessent, Ministria e Jashtme e Iranit tha se i dënon sanksionet ekonomike dhe tregtare të ShBA-së, duke i quajtur “terrorizëm ekonomik” që do t’i shënjestrojë iranianët e rëndomtë dhe që përbën krim kundër njerëzimit.
Sekretari Bessen i tha mediumit CNBC se do të ndajë më shumë hollësi dhe “do të flasë për atë se çfarë saktësisht do të bëjmë” rreth Iranit në një konferencë për shtyp të hënën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


