Një konferencë e nivelit të lartë për të drejtat e njeriut është mbajtur sot në Prishtinë, ku u diskutua lidhja mes ligjit dhe zbatimit të tij në praktikë, në një kohë kur sfidat për drejtësinë mbeten të shumta.
Në këtë aktivitet, të organizuar nga Këshilli i Evropës me temën “Nga ligji në praktikë: Ndërlidhja e dispozitave ligjore me ndikim konkret në fushën e të drejtave të njeriut”, mori pjesë edhe Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik R. BERISHA.
Siç njofton OAK, në sesionin hyrës, ku Berisha ishte ndër folësit kryesor, ai theksoi se roli i avokatit mbetet vendimtar në mbrojtjen e lirive themelore, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të reflektohet në vendime konkrete dhe të drejta.
Ai ngriti shqetësimin për nevojën e një sistemi që nuk i nënshtrohet asnjë presioni, duke kërkuar drejtësi që nuk diskriminon, nuk vonon dhe nuk frikësohet nga asnjë formë pushteti.
Berisha u ndal edhe te fenomeni i ndikimeve të jashtme, duke theksuar se sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur nga ajo që ai e quajti “gjykata televizive”, ku vendimet tentohen të imponohen përmes presionit publik dhe mediatik.
Një tjetër mesazh i fortë i tij ishte rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, të cilët sipas tij duhet të funksionojnë si një trekëndësh i përbashkët në mbrojtje të ligjshmërisë dhe etikës profesionale.
Në fund, Berisha theksoi se çdo përparim drejt standardeve evropiane nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i punës së avokatëve të përkushtuar, të cilët përmes angazhimit të tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e drejtësisë në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


