Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë obligim kushtetues që të mundësojnë zgjedhjen e presidentit të vendit.
Ai ka theksuar se formimi i institucioneve nuk duhet të bllokohet nga kalkulimet politike.
Baraliu ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, pavarësisht nëse kjo arrihet përmes një marrëveshjeje politike apo përmes respektimit të detyrimeve kushtetuese nga deputetët.
“Që të vetëdijesohet kjo klasë politike, sidomos fituesi i zgjedhjeve, po hiq më pak as këta të tjerët të opozitës, që të bëhen bashkë edhe t’i bëjnë institucionet. Sa i përket Kuvendit dhe Qeverisë nuk ka problem, shumica e fituesit sepse i ka numrat. Ndërkaq për presidentin domosdoshmërisht do të duhet të bëhen bashkë. A bëhen me ndonjë marrëveshje për qeverisje të përbashkët? Apo ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual? Apo varianti i tretë që është po ashtu edhe obligimi i çdo deputeti nga kushtetuta që t’i formojë institucionet”, ka thënë Baraliu.
Ai ka shtuar se deputetët janë zgjedhur për të funksionalizuar institucionet dhe jo për të penguar krijimin e tyre.
“Është detyrë e tyre për formimin e institucioneve. Përndryshe, shtrohet pyetja, pse shkojnë, pse formohet Kuvendi, pse shkojnë deputetët në Kuvend? Çfarë bëjnë aty? Shkojnë në Kuvend për t’i formuar institucionet, shkojnë për të marrë pjesë, për të nxjerrë ligje, për të trajtuar ligjet një herë, dy herë, për të miratuar ligje. Pra, për t’i bërë funksionale institucionet e këtij vendi të kësaj republike.”, ka deklaruar ai. /EO


