Babai i 27-vjeçarit që humbi jetën në një konflikt fizik në fshatin Kobaj të Prizren ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai po trajtohet në spital pas plagëve të marra gjatë përleshjes së ndodhur mes dy familjeve që janë kushërinj mes vete.
Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur paraditen e së dielës, ndërsa në konflikt janë përdorur mjete të forta. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit po vazhdojnë.
“Ajo që mund të konfirmoj në këtë fazë është se një person ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital. Bazuar në dyshimet fillestare, viktima dyshohet se ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë. Hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Duke qenë se rasti ndodhet në fazën fillestare të hetimeve, në këtë moment nuk mund të japim informacione të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes”, deklaroi Kryeziu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


