Thursday, June 25, 2026
spot_img
HomeLajmeAvokatja e Shqipe Musaj-Elshanit: Apeli injoroi udhëzimet e Supremes, po zvarrit rastin...

Avokatja e Shqipe Musaj-Elshanit: Apeli injoroi udhëzimet e Supremes, po zvarrit rastin e fëmijës

Avokatja e Shqipe Musaj-Elshanit, Bedrie Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, e cila ka kthyer në rigjykim çështjen që lidhet me lejimin e udhëtimit jashtë vendit të vajzës së mitur me nënën e saj.

Sipas Rexhepit, Gjykata e Apelit nuk e ka përmbushur substancën e udhëzimeve të dhëna nga Gjykata Supreme dhe ka shmangur trajtimin meritor të rastit, duke zgjedhur që lëndën ta kthejë sërish në Gjykatën Themelore në Prizren – Dega në Suharekë, transmeton Klankosova.tv.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit përbën mungesë totale të vlerësimit të çështjes sipas meritës dhe sipas kërkesave të Gjykatës Supreme. Ky kthim është në kundërshtim me detyrimin e shtetit për të vendosur shpejt dhe pa zvarritje në rastet ku preket interesi më i mirë i fëmijës”, ka deklaruar Rexhepi.

Ajo rikujton se Gjykata Themelore kishte vendosur më 27 qershor 2023 që t’i lejonte nënës udhëtimin jashtë vendit me vajzën e saj. Mirëpo, ky vendim ishte rrëzuar nga Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2025, e cila kishte vlerësuar se kërkesa për udhëtim jashtë vendit ishte e palejuar dhe pa interes juridik.

Pas kësaj, Gjykata Supreme, me vendimin e 12 janarit 2026, e kishte kthyer lëndën në Apel me udhëzime të qarta që çështja të shqyrtohej në bazë të meritave dhe duke pasur për konsideratë interesin më të mirë të fëmijës.

Sipas avokates, Supreme kishte theksuar shprehimisht se Apeli duhej ta trajtonte padinë mbi bazën e themelësisë së saj dhe të nxirrte një vendim të drejtë e të ligjshëm, duke vlerësuar në çdo rast interesin më të mirë të fëmijës.

“Megjithatë, Gjykata e Apelit, në vend që ta trajtonte çështjen në meritë, e kthen sërish në rivendosje në shkallë të parë. Ky cikël procedural është shkelje serioze e së drejtës për gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm”, ka thënë Rexhepi.

Ajo ka theksuar se në rastet që lidhen me fëmijët, koha nuk është një element formal procedural, por faktor që ndikon drejtpërdrejt në jetën, zhvillimin emocional dhe lirinë e lëvizjes së tyre.

“Po flasim për një fëmijë konkret, për një nënë që prej vitesh kërkon mbrojtje institucionale dhe për një situatë ku e drejta e fëmijës për të lëvizur dhe për të jetuar normalisht po mbetet e kushtëzuar nga refuzimi i një prindi për të dhënë pëlqim”, ka deklaruar ajo.

Rexhepi ka kritikuar gjithashtu faktin që, sipas saj, Gjykata e Apelit kishte mundësi ligjore të mbante seancë, të dëgjonte palët, të administronte prova shtesë dhe të merrte një vendim përfundimtar, por zgjodhi ta kthejë çështjen në shkallën e parë.

Në reagimin e saj, ajo ka vënë në dukje se babai i fëmijës, i cili kundërshton udhëtimin e vajzës jashtë vendit, jeton vetë jashtë Kosovës dhe, sipas rrethanave të rastit, e takon vajzën më së shumti dy herë në vit.

Avokatja ka argumentuar se praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkon që në çdo vendim që prek një fëmijë, interesi më i mirë i tij të jetë konsiderata parësore.

“Ky standard nuk është respektuar në rastin konkret. Drejtësia kërkon guxim dhe guximi ka munguar në këtë rast. Por nuk ka munguar vetëm guximi. Ka munguar edhe vullneti për ta parë këtë çështje si jetë konkrete e një fëmije dhe jo si një dosje që bartet nga një instancë në tjetrën”, ka përfunduar Rexhepi. Ajo ka shprehur bindjen se beteja juridike do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, duke shtuar se “dritë do të ketë, sepse drejtësia, herët apo vonë, duhet të vijë”.

Apeli prish vendimin që i lejonte nënës ta merrte fëmijën jashtë Kosovës, rasti kthehet në rigjykim

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT