Sa më shumë po shpjegohet nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, aq më shumë po shtohen pikëpyetjet rreth qëndrueshmërisë së saj juridike.
Kështu ka vlerësuar avokati Besnik R. BERISHA, duke reaguar pas sqarimeve të bëra sot lidhur me mënyrën se si do të funksiononte nisma e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
PDK-ja e ka proceduar projektligjin në Kuvend, ndërsa sipas shpjegimeve të bëra publikisht, për rastet që aktualisht janë në proces procedurat do të vazhdonin në Apel sipas strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara. Nëse Apeli do të urdhëronte rigjykim, rasti do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur të plotësoheshin kushtet, do të transferohej në Kosovë.
Pikërisht kjo pjesë e konstruksionit juridik ka nxitur reagimin e Berishës.
Sipas tij, nëse juridiksioni i Dhomave të Specializuara pranohet si i vlefshëm për ta gjykuar një çështje në shkallë të parë dhe për ta shqyrtuar atë në Apel, atëherë rezultati që prodhon Apeli nuk mund të jetë kriteri që më pas përcakton se cila gjykatë bëhet kompetente.
Berisha e përmbledh problemin në një parim të thjeshtë juridik, por thelbësor.
“Juridiksioni nuk është pasojë e rezultatit.”
Sipas tij, juridiksioni duhet të ekzistojë përpara vendimit, të burojnë nga norma dhe të jetë i parashikueshëm për palët që nga fillimi i procedurës. Për këtë arsye, ai konsideron se është juridikisht e vështirë të ndërtohet një sistem ku rruga gjyqësore ndryshon varësisht nga fakti nëse Apeli e lë në fuqi një aktgjykim apo urdhëron rigjykim.
“Nuk mund të kemi një sistem gjyqësor nëse Apeli vendos në një mënyrë dhe një sistem tjetër nëse vendos ndryshe”, është qëndrimi i tij.
Berisha ngre edhe një pikëpyetje tjetër, që sipas tij është po aq serioze, mundësinë që Gjykata Supreme e Kosovës të shndërrohet në instancë të një procedure që deri në atë moment nuk ka kaluar asnjëherë nëpër sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës.
Sipas tij, fakti që Dhomat e Specializuara janë gjykata të Kosovës nuk e zgjidh vetvetiu këtë problem, pasi ato funksionojnë mbi një arkitekturë të posaçme kushtetuese dhe ligjore, me juridiksion, strukturë dhe sistem të veçantë të mjeteve juridike.
Pikërisht për këtë arsye, sipas Berishës, çështja nuk mund të reduktohet në formulën politike se, nëse një proces nuk korrigjohet në Hagë, ai më pas mund të vazhdojë në Kosovë.
Ai thotë se e kupton nevojën për reagim pas një aktgjykimi që ka shkaktuar shqetësim të madh, si dhe synimin që të akuzuarve t’u sigurohet çdo garanci juridike që u takon, por pikërisht për shkak të peshës së çështjes, zgjidhja duhet të jetë juridikisht më e fortë dhe jo vetëm politikisht më tërheqëse.
Në vlerësimin e tij, këtu nuk bëhet fjalë për adresën fizike të një gjykate, por për kompetencën, juridiksionin, rendin e instancave, sigurinë juridike dhe ligjin që zbatohet mbi një proces penal në zhvillim.
“Këto nuk mund të ndryshojnë sipas rezultatit që prodhon Apeli.”
Berisha e përmbyll qëndrimin e tij duke bërë dallimin mes synimit politik dhe qëndrueshmërisë juridike të mjetit të zgjedhur.
“Me synimin mund të pajtohesh. Me këtë konstruksion juridik, shumë vështirë. Në përpjekje për ta korrigjuar një padrejtësi të pretenduar, duhet të kemi kujdes të mos ndërtojmë një zgjidhje që rrëzohet nga vetë argumentet me të cilat përpiqemi ta mbrojmë.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


