Gjashtë studentë dhe një profesor nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës kanë vizituar fabrikën e Prince Caffe në Pejë, në kuadër të një projekti bashkëpunimi për krijimin e dizajneve të reja të filxhanëve të kafesë espresso.
Vizita u zhvillua në ambientet e fabrikës së Prince Caffe, pjesë e Devolli Corporation, ku studentët u njohën nga afër me procesin e prodhimit, paketimit dhe shpërndarjes së kafesë deri te konsumatori. Ata morën informacion edhe për historinë e kompanisë dhe kulturën e kafesë.
Profesori i Fakultetit të Arteve, Taulant Qerkini, tha se projekti paraqet një mundësi të mirë për studentët.
“Kemi dizajnuar filxhanët e kafesë për edicionin special të Prince Caffe. Kjo është një mundësi shumë e mirë që studentët e kanë, pasi përbën një hap drejt integrimit të tyre si studentë dhe si gjeneratë e re dizajnerësh, duke promovuar idetë e tyre kreative.”, u shpreh ai.
Edhe studentët e vlerësuan këtë përvojë si një hap të rëndësishëm profesional, duke theksuar se bashkëpunimi me kompani të mëdha u jep mundësi të prezantojnë punën e tyre dhe të kuptojnë rolin e dizajnit përtej aspektit estetik.
Nga Prince Caffe, Dardan Mehmeti, inxhinier në këtë fabrikë tha se projekti synon të sjellë ide dhe perspektiva të reja kreative, ndërsa kompania mbetet e hapur për bashkëpunime me të rinjtë dhe promovimin e talenteve të reja.
“Për çdo ide, kreativitet dhe produkt dizajni, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe t’u ofrojmë hapësirë të rinjve për ta promovuar punën dhe idetë e tyre. Kemi bashkëpunuar edhe më herët me studentë dhe dizajnerë të rinj, dhe do të vazhdojmë ta mbështesim kreativitetin e tyre.”, tha Mehmeti.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë, pas shqyrtimit të propozimeve do të përzgjidhen dizajnet që do të përdoren në filxhanët e një edicioni special të Prince Caffe.


