Raportimi për dhunën ndaj grave dhe gjuha e urrejtjes ndaj tyre në mungesë të edukimit medial, ishte temë diskutimi në emisionin e tretë “Edu Media”, transmetuar në Klan Kosova.
Teuta Arifaj, redaktore në ATV, tha se ka jo pak problem në mënyrën se si mediat raportojnë për dhunën ndaj grave.
Ajo, derisa tha se ndonëse vetë është grua në media, këto të fundit dinë të jenë diskriminuese dhe moskokqarëse kur vjen puna te raportimi i dhunës ndaj grave.
“Mendoj se një nga arsyet pse ndodhë kjo është dëshira për më shumë klikime dhe qarkullim brenda atij mediumi, por duhet të pranoj se duhet bërë një ndarje mes mediave kur them se jo të gjitha i zbatojnë këto kritere. Po them kushtimisht ekziston njëfarë dallimi në mes mediave audiovizuele dhe ato online, pasi të shkruara më nuk ka. Konsideroj se mediat audiovizuele janë shumë më të kujdesshme kur bëhet fjalë për raportimin e dhunës ndaj grave dhe jo vetëm ndaj grave por gjitha grupeve të cenueshme të shoqërisë, për dallim nga mediat online të cilat natyrisht që shumica mbijetojnë nga qarkullimi që e ka në webfaqet e tyre, por megjithatë mënyra si raportojnë për këto raste, janë shumë të ashpra në raport me viktimën”, tha ajo.
Më shumë se gjuhë e urrejtjes ndaj grave, sipas Arifajt, raportimet në media bëhen më dozën e fajësimit të viktimës.
“Edhe pse natyrisht gjuha e urrejtjes është e pranishme në mediat në Kosovë, kur flasim për raportimin e dhunës ndaj grave më shumë ka një far mosvetëdije se ku është kufiri i një raportimi profesional dhe ku fillojnë paragjykimet apo vlerësimet që s’duhet të bëhen në raportim me viktimën”, tha Arifaj.
Si e çka shkruajnë mediat, ka rëndësi edhe te numri i grave që vendosin ta raportojnë dhunën.
“Konsideroj që varësisht nga mënyra e raportimit që bëhet në media e trajtimi në opinionin publik, pastaj viktimat e dhunës në familje ose ndaj grave dekurajohen nga raportimi dhe vazhdojnë ta përjetojnë dhe durojnë dhunën”, shtoi ajo.
Andaj sipas gazetares Arifaj, është tejet e rëndësishme që gazetarët të trajnohen.
“Vetëkontrolli pak a shumë bëhet brenda redaksive. Poashtu mendoj se është shumë e rëndësishme që edhe gazetarët të trajnohen sa më shumë në këtë aspekt. Nuk mund ta them me kompetencë nëse raportimi në këtë fushë, e që për fat të keq ka marrë vërtetë përmasa të mëdha në Kosovë, mësohet ekskluzivisht si pjesë e arsimimit të lartë në Kosovë. Ne e dimë se edhe në universitetin publik edhe në kolegje private ka degë të gazetarisë, por mendoj se do ishte e rëndësishme që një kapitull i veçantë të ekzistojë pikërisht për raportime të kësaj natyre, meqë megjithatë po besoj që studentët mësojnë për raportimin etik, për standarde dhe profesionalizëm, por ndoshta t’i kushtohet rëndësi më e madhe kësaj fushe specifike por natyrisht edhe redaksitë të investojnë në edukimin dhe trajnimin e gazetarëve lidhur me këtë raportim. Meqë si i tillë implikon njerëz, ndikon në viktima në familje, andaj të përpiqemi maksimalisht ta shmangim këtë situatë”, shtoi Arifaj. /Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


