Komuna e Prishtinës ka bërë apel urgjent për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal, pasi malet përreth kryeqytetit po përballen me zjarre.
Përmes një njoftimi, Komuna ka paralajmëruar se temperaturat e larta dhe kushtet e thata krijojnë rrezik të madh për përhapjen e shpejtë të zjarreve, të cilat mund të rrezikojnë pyjet, kafshët, pronat dhe jetën e qytetarëve.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos djegin barishte, hamullishta apo mbeturina dhe të mos hedhin cigare të ndezura.
Po ashtu, qytetarët janë porositur të mos lënë prush apo materiale të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në rast se vërejnë tym apo zjarr, Komuna kërkon që qytetarët të largohen nga zona e rrezikut dhe të lajmërojnë menjëherë zjarrfikësit në numrin 193.
Në njoftim, Komuna e Prishtinës ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit e Kryeqytetit dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, të cilët po përballen me zjarret pa ndërprerje.
“Një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë një katastrofë të madhe. Mbrojtja e natyrës dhe e jetës është përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në apelin e Komunës.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes maksimal, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


