Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, ka deklaruar se Serbia duhet të përmbahet nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurt, duke theksuar se e ardhmja e saj strategjike duhet të jetë “e rreshtuar me Perëndimin”.
Deklaratat e tij janë bërë pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, të zhvilluar një ditë më parë, ku sipas tij është diskutuar edhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin rajonal.
“Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur”, shkroi Whitaker në X më 23 prill, duke bërë të ditur mesazhin që i ka përcjellë Vuçiqit gjatë takimit.
Ai tha se Serbia, katër vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, nuk i është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë dhe nuk ka hequr dorë nga lidhjet me Moskën.
Whitaker shtoi se me Vuçiqin ka zhvilluar një takim konstruktiv për “nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë”.
“E vlerësojmë rolin e Serbisë në stabilitetin rajonal dhe presim me padurim stërvitjen e përbashkët të Serbisë dhe NATO-s në maj”, tha ai.
Megjithatë, ai paralajmëroi se bashkëpunimi i Serbisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurt mund të krijojë varësi strategjike afatgjatë.
“Por, isha i qartë: bashkëpunimi i Serbisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurt krijon varësi strategjike afatgjatë, nga e cila është e vështirë të çlirohesh, dhe e ndërlikon bashkëpunimin e ardhshëm”, shtoi Whitaker.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


