Një rast shqetësues është evidentuar në Fushë Kosovë, ku një i mitur është kapur në posedim të substancave narkotike dhe një shume të konsiderueshme parash.
Ngjarja ka ndodhur më 24 mars rreth orës 15:30 në rrugën “Besa Besë”, ku njësia policore në kuadër të planit “Siguria në shkolla” ka ndaluar një të mitur, L.B. rreth 14 vjeç.
Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, një pako me fleta mbështjellëse, si dhe para në vlerë prej 435 euro.
I mituri është intervistuar në prani të prindit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, ku ka deklaruar se substancën narkotike e kishte blerë në Prishtinë nga një person i panjohur.
Po ashtu, ai ka pranuar se paratë që posedonte ishin pjesë e një vjedhjeje të kryer një ditë më parë në një parking në Prishtinë, ku së bashku me një shok dyshohet se kanë marrë rreth 1000 euro nga një veturë.
Policia ka dalë në vendin e dyshuar për rastin e vjedhjes, por nuk ka arritur të identifikojë veturën.
Substancat narkotike dhe paratë janë sekuestruar, ndërsa me udhëzim të Prokurores për të mitur është përpiluar raport policor dhe i mituri është liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


