Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se ka pranuar një mesazh nga kryeministri Albin Kurti për një takim lidhur me situatën politike në vend.
Gjini tha se mesazhin e ka pranuar para dy-tri ditësh, ndërsa shprehu dyshime për qëllimin e ftesës.
“E kam marrë një SMS në të cilin është kërkuar me u taku edhe me folë për veprimet strategjike. Para dy-tri ditësh. Zakonisht nuk i flas këto sende, po s’kam qysh mos me i fol, ai vet e ka dërguar SMS-in, nuk shoh fare asnjë seriozitet as qëllim të mirë. Asgjë nuk shoh”, tha Gjini në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Sipas tij, ftesa e Kurtit mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të arritur deri te fajësimi.
“Vetëm është lojë për me mbërri deri te fajësimi”, u shpreh Gjini.
Gjini tha se Aleanca nuk mund të fajësohet për situatën aktuale politike, pasi nuk është në pozitë për të vendosur nëse vendi shkon në zgjedhje.
“Aleancën nuk mundet me u fajësu për shkak se në këtë fazë, paradoksalisht, ne nuk jemi ata që as i shpallim zgjedhjet, as e ndalim shpalljen e zgjedhjeve. Ne kishim dashur me qenë krejt ndryshe, edhe ka me qenë ndryshe shumë shpejt, por në këtë moment nuk mundet me u fajësu Aleanca”, tha Gjini.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


