Më shumë se 450 mijë njerëz parashikohet të vdesin si pasojë e të nxehtit të shkaktuar nga fenomeni natyror “El Niño” gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, sipas parashikimeve të shkencëtarëve të klimës.
Projeksioni, i cili mbulon periudhën nga shtatori 2026 deri në shkurt 2027, i shtohet numrit të vdekjeve të parakohshme që lidhen me temperaturat e larta të shkaktuara nga kriza klimatike.
Pasojat pritet të ndihen në mbarë botën, nga Indonezia në Indi dhe nga Nigeria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç temperaturave ekstreme, rritja e rrezikut pritet të lidhet edhe me thatësirat, zjarret dhe përmbytjet që mund të shkaktohen ose përkeqësohen nga “El Niño”.
Sipas parashikimeve, numri më i madh i vdekjeve pritet të regjistrohet në Nigeri, me më shumë se 31 mijë raste. Lista e dhjetë vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve të parashikuara vijon me Indonezinë, Sudanin, Indinë, Brazilin, Republikën Demokratike të Kongos, Nigerin, Çadin, Filipinet dhe Vietnamin.
Vdekjet e lidhura me të nxehtin janë përllogaritur në nivel rajonal, ndërsa studiuesit thonë se këto projeksione mund të ndihmojnë në identifikimin e masave që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e popullsisë, në varësi të rrezikut në secilin vend.
Masat e rekomanduara përfshijnë përmirësimin e sistemeve të parashikimit të motit, krijimin e qendrave të freskimit ku njerëzit mund të strehohen gjatë temperaturave ekstreme, rritjen e kapaciteteve shëndetësore dhe forcimin e mbrojtjes për punëtorët që kryejnë punë në ambiente të hapura.
“El Niño”, i cili po kontribuon në ngrohjen e planetit, të hënën theu rekordin për temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë gjatë një episodi të këtij fenomeni.
“El Niño” është një fenomen klimatik natyror që ndodh kur ujërat sipërfaqësore të pjesës qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor tropikal bëhen më të ngrohta se normalisht, duke ndikuar në rritjen e temperaturave globale.
Profesor Michael Greenstone, themelues i “Climate Impact Lab” në Universitetin e Chicagos dhe bashkëautor i raportit, ka theksuar përmasat e projeksionit.
“Parashikimi prej 451 mijë njerëzish është shumë shifër e lartë që të lë pa fjalë. Ajo përbëhet nga prindër e fëmijë, gjyshër e fqinj, njerëz që punojnë, kujdestarë për familjet”, ka thënë Greenstone.
Parashikimi i referohet periudhës shtator 2026 – shkurt 2027, ndërsa rreziku nga temperaturat ekstreme pritet të vazhdojë deri në korrik të vitit të ardhshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


