Saturday, May 16, 2026
spot_img
HomeLajmeAKK: Komunat drejt protestës, mbi 344 milionë euro humbje

AKK: Komunat drejt protestës, mbi 344 milionë euro humbje

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësimin dhe revoltën e thellë të komunave lidhur me, siç thotë, barrën e papërballueshme financiare që po shkaktohet nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga kjo kontratë.

Në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, siç bën me dije AKK, kryetarët e komunave kërkuan urgjentisht zgjidhje institucionale për këtë problem që po e rrezikon seriozisht stabilitetin financiar të pushtetit lokal dhe po dëmton drejtpërdrejt investimet dhe shërbimet për qytetarët.

AKK thotë se ka shterur pothuajse të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Asociacioni e ka dërguar çështjen e kontratës kolektive në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo thotë se Gjykata ka vlerësuar se nuk është kompetente për ta trajtuar këtë çështje.

Mbi 26 komuna kanë iniciuar procedura gjyqësore në Gjykatat Themelore, ndërsa këto lëndë më pas janë bartur në Gjykatën Komerciale dhe ende nuk ka një zgjidhje konkrete. Po ashtu, AKK thotë se ka zhvilluar dhjetëra takime dhe diskutime me nivelin më të lartë institucional në vend, por, përkundër të gjitha këtyre përpjekjeve, AKK thotë se deri më sot nuk është ofruar asnjë zgjidhje konkrete për komunat.

Ndërkohë, AKK thotë se dëmet financiare vazhdojnë të rriten alarmueshëm.

“Vetëm në periudhën 2022–2026, komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimeve, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026 mbi 55 milionë euro. Këto mjete janë larguar drejtpërdrejt nga investimet kapitale, infrastruktura lokale dhe shërbimet për qytetarët”, thotë AKK.

Kjo shoqatë thekson se përballë mungesës totale të reflektimit institucional dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje, kryetarët e komunave vlerësuan se komunave po u mbetet gjithnjë e më pak hapësirë veprimi institucional.

“Prandaj, Këshilli i Kryetarëve vlerësoi se nëse institucionet qendrore vazhdojnë të heshtin dhe të mos ofrojnë zgjidhje konkrete, protesta mbetet forma e vetme demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e interesit të komunave dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, u tha në reagimin e AKK-së.

Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon urgjentisht ndërhyrje institucionale dhe politike për zgjidhjen e problemit; krijimin e një mekanizmi kompensues për komunat; ndalimin e dëmtimit të mëtejmë të buxheteve komunale; dhe, trajtim të drejtë për pushtetin lokal, i cili po bart pasoja financiare për vendime që nuk janë marrë nga komunat.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT