Pesë ditë para zgjedhjeve nacionale të 7 qershorit, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka përsëritur thirrjen ndaj partive dhe subjekteve politike për respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
AIP u ka kërkuar subjekteve politike që çdo përpunim i të dhënave personale të bëhet vetëm mbi bazë ligjore, përfshirë pëlqimin e qytetarëve ose baza të tjera të përcaktuara me ligj, duke theksuar se të dhënat e mbledhura në funksione publike nuk duhet të përdoren për marketing politik.
Po ashtu, agjencia ka kërkuar që të mos ekspozohen të dhënat personale përmes e-mail-it, SMS-ve apo thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak, si dhe të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave të tyre në çdo kohë.
Po ashtu u ka bërë thirrje partive e subjekteve politike që të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejtë dhe ta ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit.
Ka kërkuar të shmanget çdo formë e profilizimit apo përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore.
“Agjencia kërkon nga partitë dhe subjektet të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet nga AIP.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


