Numri i rasteve me fruth në Kosovë ka shënuar rritje gjatë muajve të fundit, ndërsa ekspertët shëndetësorë dhe profesionistët e fushave sociale thonë se hezitimi i disa prindërve për vaksinimin e fëmijëve është një nga faktorët që po ndikon në përhapjen e sëmundjes.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga 16 prilli deri më 6 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 52 raste me fruth në vend. Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, me 17 të prekur, ndërsa pasojnë Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 6 dhe Fushë-Kosova me 5 raste.
Mjekët vazhdojnë t’u bëjnë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët, duke theksuar rëndësinë e imunizimit në parandalimin e sëmundjeve infektive.
Psikologia Ema Jashari Skeja ka vlerësuar se një nga arsyet kryesore të mosvaksinimit është frika, e cila shpesh ushqehet nga informacionet e pasakta që qarkullojnë në rrjetet sociale.
Sipas saj, disa prindër ndikohen më shumë nga histori individuale dhe pretendime të pakonfirmuara sesa nga informacionet e bazuara në prova shkencore. Ajo theksoi se pretendimi për lidhjen mes vaksinës së fruthit dhe autizmit është hedhur poshtë nga studimet shkencore.
Edhe sociologia Flaka Ymeri ka theksuar se përhapja e dezinformatave, mungesa e informacionit të qartë dhe mosbesimi ndaj institucioneve janë ndër faktorët që ndikojnë në vendimet e disa familjeve për vaksinimin.
Ekspertët kërkojnë që institucionet shëndetësore të forcojnë komunikimin me qytetarët, duke ofruar më shumë sqarime dhe duke iu përgjigjur shqetësimeve të prindërve në mënyrë profesionale dhe transparente.
Sipas tyre, vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive në komunitet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


