Aleanca ka reaguar pas vdekjes së katër punëtorëve të KEK-ut gjatë këtij viti, duke e cilësuar situatën si dëshmi të dështimit dhe neglizhencës së institucioneve për garantimin e sigurisë në vendin e punës.
Në reagimin në Facebook, përmenden katër punëtorët që kanë humbur jetën, Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti, ndërsa theksohet se dy vdekje kanë ndodhur vetëm brenda tri ditëve të fundit.“Katër punëtorë të vdekur brenda vitit në ndërmarrjen më të madhe publike në vend. Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe sot Arbenit Ahmeti janë dëshmia më e rëndë e dështimit dhe neglizhencës kriminale të kësaj Qeverie. Dy vdekje tragjike vetëm brenda tri ditëve të fundit në KEK tregojnë se situata ka dalë plotësisht jashtë kontrollit dhe se ky pushtet ka dështuar të garantojë jetën e qytetarëve të vet”, shkruan partia.
Aleanca ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, si dhe përgjegjësi ligjore e penale për zyrtarët që, sipas tyre, kanë lejuar krijimin e kësaj situate.
“Këta që shtiren çdo ditë se po marrin masa për mbrojtjen e punëtorëve, në realitet e kanë sjellë ndërmarrjen më të madhe publike në një terren të rrezikshëm ku vdesin njerëzit. Është e papranueshme që institucionet, nga ministria e linjës që po sillet si agjencion mortor, e deri te menaxhmenti e Bordi politik i instaluar aty, të kujtohen e të reagojnë me komunikata shabllone vetëm pasi ndodhin tragjeditë, në vend se të parandalojnë situatat e rrezikshme.
Punëtorët tanë sot detyrohen të punojnë nën presion e frikë, duke u frikësuar të denoncojnë rreziqet në vendin e punës për shkak të pasojave nga ky menaxhment represiv”, shkroi në Facebook, raporton Klankosova.tv.
Po ashtu, Aleanca ka kërkuar që menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut të japin llogari dhe të japin dorëheqje për humbjen e jetëve të punëtorëve.
“Aleanca kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe përgjegjësi të plotë ligjore e penale për secilin zyrtar që ka lejuar këtë situatë. Menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut duhet të japin llogari urgjente para drejtësisë dhe dorëheqje të menjëhershme për humbjen e këtyre jetëve. Njejtë duhet të veprojë edhe deputetja që sillet si ministre. Ngushëllimet më të thella familjeve të punëtorëve që humbën jetën tragjikisht në vendin e punës!”, thuhet më tej në reagimin e Aleancës./Klankosova.tv


