Pas raportimit për një mjet shpërthyes të dyshuar në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, situata është normalizuar dhe nuk është konstatuar asnjë rrezik real, konfirmojnë autoritetet.
Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, në Edicionin Special, ka bërë të ditur se njësitet policore kanë reaguar menjëherë pas pranimit të informatës rreth orës 18:00 dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me ekipet relevante për kontroll dhe verifikim të zonës.
Zogaj bëri të ditur se për shkak të dyshimeve fillestare, një perimetër i caktuar i stacionit është evakuuar, ndërsa qytetarët janë larguar nga zona për arsye sigurie, deri në përfundimin e verifikimeve.
“Situata tashmë është normalizuar, të themi ashtu, për shkak se njësitë policore qysh nga ora 18:00, kur edhe u pranua informata fillestare për këtë rast, dolën në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë relevante për identifikimin e një mjeti shpërthyes dhe zonën ku ndodhet” ka thënë Ajo
Ajo shtoi se të gjitha ekipet kompetente janë duke punuar për të zbardhur plotësisht mënyrën se si është pranuar dhe qarkulluar informata për një mjet shpërthyes të supozuar në këtë lokacion, i cili më pas doli që ishte i rrejshëm.
Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim dhe po punohet për identifikimin e burimit të informatës.
Pas përfundimit të kontrolleve, autoritetet kanë konfirmuar se situata në Stacionin e Autobusëve është plotësisht e qetë dhe qarkullimi i autobusëve, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, po vazhdon sipas orareve të rregullta.


