Opinionisti Rrahman Paçarizi ka kritikuar partitë politike në Kosovë, duke thënë se ekziston një “hipokrizi” e përbashkët në qasjen e tyre ndaj qytetarëve dhe zhvillimeve politike.
Nw emisionin “Rubikon” nw Klan Kosova, Paçarizi tha se të gjitha partitë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, sipas tij, po përpiqen të ndërtojnë një narrativë të tyre për publikun.
“Ka një hipokrizi jo vetëm nga LVV-ja, por nga të gjitha partitë. Të gjithë po mundohen të plasojnë në publik një rrëfim të vetin, por ky rrëfim do të merrte një mësim të mirë nëse qytetarët në zgjedhjet e ardhshme eventuale do t’i bojkotonin masivisht”, ka thënë Paçarizi, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se një reagim i tillë qytetar do të ishte një mesazh i fortë ndaj partive politike.
“Unë nuk jam ai që marr guximin t’i mësoj, por një përgjigje qytetare do të ishte ajo”, u shpreh ai.
Paçarizi deklaroi gjithashtu se një ulje e pjesëmarrjes në zgjedhje nuk do të prekte vetëm një subjekt politik, por të gjitha partitë.
“Le të jenë edhe minus 150 mijë edhe tash, këta mbushen mend. Ajo rënie do të jetë proporcionale, nuk do t’i hiqen vetëm një partie, sepse njerëzit nuk i besojnë vetëm një partie”, tha ai.


