Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendimi i Bashkimit Evropian për të mos arritur konsensus rreth hapjes së klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë nuk ishte një surprizë.
Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq tha se zhvillimi ishte i pritshëm dhe se fokusi i vendit duhet të mbetet te projektet infrastrukturore dhe zhvillimi ekonomik.
“Gjithçka ishte përafërsisht e pritshme. Duhet të merremi më shumë me rrugët dhe hekurudhat sesa me grupet e kapitujve”, është shprehur ai.
Sipas burimeve diplomatike, disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian kundërshtuan hapjen e klasterit 3, duke përmendur mangësi në sundimin e ligjit, mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe mungesën e progresit në procesin e integrimit evropian.
Edhe disa vende të tjera, ndonëse nuk e kundërshtuan hapur këtë hap, vlerësuan se ende nuk janë plotësuar kushtet për avancimin e negociatave, duke ngritur shqetësime edhe për lirinë e mediave në Serbi.
Komisioni Evropian kishte rekomanduar hapjen e klasterit 3 gjatë muajit korrik, por ambasadorët e vendeve anëtare nuk arritën të gjejnë konsensus për ta miratuar këtë propozim.
Gjatë intervistës, Vuçiq komentoi edhe pjesëmarrjen e një përfaqësuesi të qeverisë serbe në ceremoninë mortore të liderit suprem të Iranit, duke thënë se vendimi lidhej me faktin se Irani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


