Sunday, August 23, 2026
spot_img
HomeLajmeVjedhje brenda Xhamisë së Madhe në Vushtrri – hajni merr kamerën, por...

Vjedhje brenda Xhamisë së Madhe në Vushtrri – hajni merr kamerën, por “tradhtohet” nga kamerat tjera

Një vjedhje e pazakontë është regjistruar brenda Xhamisë së Madhe në Vushtrri, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka hyrë në një nga hapësirat e objektit dhe është larguar me një kamerë të mbikëqyrjes.

Por, derisa mori njërën kamerë, kamerat tjera regjistruan lëvizjet e tij.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 20 gusht, në mes të ditës, rreth orës 16:45–17:00, në Xhaminë e Madhe në Sheshin “Hasan Prishtina”.

Vjedhja është zbuluar dy ditë më vonë, kur mbikëqyrësi i xhamisë ka vërejtur se njëra prej kamerave mungonte dhe ka njoftuar autoritetet.

Policia ka dalë në vendngjarje dhe gjatë verifikimit të video-incizimeve ka hasur në pamjet që dyshohet se dokumentojnë momentet e vjedhjes.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në incizime shihet një person duke hyrë në një dhomë brenda xhamisë.

Kur del prej saj, në dorë mban një qese të zezë.

Dyshohet se brenda qeses ndodhej kamera që ishte marrë nga objekti, vlera e së cilës është deklaruar rreth 50 euro.

Identiteti i personit nuk është zbuluar ende, por pamjet e sigurisë tashmë janë në dispozicion të hetuesve dhe pritet të shfrytëzohen për identifikimin e tij.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Vjedhje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Ironia e rastit është se kamera që dyshohet se mori mund të jetë zhdukur nga xhamia, por kamerat që mbetën pas regjistruan lëvizjet e personit që Policia tash po përpiqet ta identifikojë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT