Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, në vendosjen e gurthemelit të çerdhes së re në Rekë-Vatë të Komunës së Kaçanikut.
Kreu i ekzekutivit përgëzoi qytetarët e Kaçanikut për gurthemelin e kësaj çerdheje, kontrata e së cilës u nënshkrua më 18 nëntor të këtij viti dhe është investim i plotë i MAShTI-t, që arrin shifrën prej mbi 1 milion euro.
“Do të jetë 740 metra katrorë për 40 fëmijë dhe në këtë mënyrë fëmijët do të marrin edukim të hershëm, ndërkaq prindërit do të kenë më shumë kohë për vete, sidomos nënat, po në të njëjtën kohë edhe fëmijët kur të shkojnë në shkollë do të jenë shumë më të përgatitur”, tha kryeministri Kurti.
Ministrja Nagavci, bëri të ditur se gjatë këtij mandati qeverisës, në Kaçanik vetëm nga MAShTI është investuar mbi 2,6 milionë euro, “përfshirë ndërtimin e kësaj çerdhe, shkollës në Doganaj dhe pajisjes së shkollave me kabinete, laboratore dhe pajisje për edukatën fizike”.
“Deri më tani, Kaçaniku ka pasur një çerdhe dhe kjo e dyta pritet të përfundojë brenda një viti, në ndërkohë që është në proces edhe një çerdhe tjetër, për të cilën tashmë veç se kanë filluar të gjitha procedurat administrative”, shtoi më tej ajo.
Tutje, kryeministri Kurti tha se Qeveria është përqendruar në ndërtimin e çerdheve anë e mbanë Kosovës, “ku me investim prej mbi 37 milionë euro gjithsej, numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe në Kosovë është rritur për rreth 33 për qind”. /Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


