Ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër Erdogan Celina, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të futbollit të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Celinës.
Ademi e ka cilësuar atë si një futbollist ikonë dhe njeri të jashtëzakonshëm, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit kosovar.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta, pas një sëmundjeje të shkurtër, të Erdogan Celinës, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të futbollit të Kosovës, një futbollist ikonë dhe një njeri i jashtëzakonshëm, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë”, ka shkruar Ademi.
Celina i përkiste brezit të artë të futbollit të Kosovës. Ai mbrojti me krenari ngjyrat e Prishtinës dhe ishte pjesë e Trepçës në periudhën e saj historike.
Ai ishte gjithashtu pjesë e Trepçës në finalen e Kupës së Jugosllavisë në vitin 1978.
Vdekja e tij ka lënë pas një nga figurat e rëndësishme të një gjenerate që dha kontribut të veçantë në zhvillimin e futbollit në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


