Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar një deklaratë lidhur me luftën e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë së pavarur, ruajtjes së së vërtetës historike dhe rolit të institucioneve akademike në dokumentimin e luftës çlirimtare.
Në deklaratë, Universiteti i Prishtinës shprehet se drejtësia duhet të mbështetet në prova, standarde juridike dhe parimet e procesit të rregullt gjyqësor.
“Universiteti i Prishtinës shpreh bindjen e tij të palëkundur se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme, objektive dhe e mbështetur në prova, standarde të së drejtës dhe parimet themelore të procesit të rregullt gjyqësor”, thuhet në njoftim.
Senati vlerëson se lufta e Kosovës duhet të trajtohet në kontekstin e rrethanave historike dhe humanitare në të cilat është zhvilluar.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive”.
Në deklaratë theksohet se lufta u zhvillua në një periudhë të karakterizuar nga dhuna sistematike, dëbimet masive dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke i cilësuar këto ngjarje si pjesë të dokumentuar të historisë së vendit.
Senati i UP-së përmend edhe ndërhyrjen e NATO-s, duke theksuar se ajo duhet të kuptohet në kontekstin e krizës humanitare dhe nevojës për mbrojtjen e popullsisë civile.
Në deklaratë i referohet edhe opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Universiteti i Prishtinës thekson se e vërteta historike duhet të ndërtohet mbi fakte, dokumente dhe kërkim shkencor, dhe jo përmes mohimit apo instrumentalizimit politik të historisë.
“E vërteta për luftën e Kosovës nuk duhet të ndërtohet mbi mohimin, relativizimin apo instrumentalizimin politik të historisë, por mbi shqyrtimin kritik dhe të përgjegjshëm të fakteve”.
Në deklaratë, Universiteti i Prishtinës shprehet i gatshëm të kontribuojë në dokumentimin dhe studimin e luftës së Kosovës, përvojës së viktimave dhe të të zhvendosurve, si dhe proceseve që çuan drejt lirisë dhe shtetësisë së vendit.
Po ashtu, universiteti riafirmon përkushtimin për mbrojtjen e lirisë akademike dhe kërkimit shkencor, duke theksuar se do të vazhdojë të mbështesë studimin e historisë së Kosovës pa frikë, pa presion dhe pa ndërhyrje politike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


