Ruajtja e pamjes së trupit pas shtatzanisë, është kthyer në një brengë për shumë gra.
Kjo temë, ndikimi i gjidhënies te format fizike të trupit dhe për ndikimet edhe tek shëndeti i fëmijëve u diskutua sot në Programin e Mëngjesit me Driton Prenaj, gjinekolog, me mjeken estetike Nora Goga si dhe me aktivisten Nora Mahmuti.
Sipas gjinekologut Prenaj, ushqyerja me gji është gjëja e dytë më e çmuar që një nënë mund t’i japë fëmijës së vet.
“E para se ia ka dhënë jetën dhe e ka krijuar jetën dhe e dyta është ushqyerja me gji. Është aq e rëndësishme për trupin dhe trurin sa që nuk mund të bëhet diçka ose një pasuri e madhe me ia dhënë fëmijës së vet sesa së paku gjashtë muajt e parë me ushqy vetëm me gji”, deklaroi ai.
Të njëjtin rekomandim e ka edhe mjekja estetike, Nora Goga. Por, ajo sqaroi se ka gra që kërkojnë ndërhyrje estetike edhe gjatë shtatzanisë.
“Unë si mjeke estestiste kam shumë paciente të cilat kërkojnë ndërhyrje estetike të cilat janë me gjidhënie apo edhe më keq kur janë gra shtatzëna. Kur e dimë sidomos tre mujorin e parë bëhet zhvillimi i organeve të fëmijëve dhe nuk duhet assesi me apliku”, deklaroi ajo.
E aktivistja Besa Mahmuti, përmendi faktin që shumë gra vuajnë edhe nga presioni neonatal, e cila siç tha ajo ndikon pastaj edhe tek gjidhënia.
“Dhe besoj që ka edhe raste të tilla që ndoshta rrethi përreth nënës dhe fëmijës, i kam dëgjuaj shpesh që thonë “Pse nuk po i jep edhe pluhur qumësht, le të shtojë edhe pak se është shumë i dobët”, tha ajo.


