Të paktën 44 persona janë lënduar, njëri prej tyre rëndë, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në veri të Francës, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Një 18-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje kritike, është transportuar me helikopter në spital, raporton BBC.
Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, tha se në tren, i cili po qarkullonte në linjën Ruenë–Kanë në Normandi, ndodheshin rreth 180 pasagjerë.
Ai shtoi se rreth 140 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës janë dërguar në vendin e aksidentit, pranë komunës Cléon, në jug të Ruenës.
Shkaku i daljes së trenit nga shinat ende nuk dihet, transmeton Sinjali.
Autoritetet lokale aktivizuan planin për përballimin e incidenteve me viktima të shumta pas aksidentit, i cili ndodhi pak para orës 20:00.
Fotografitë e publikuara më vonë treguan pasagjerë duke dalë nga treni i aksidentuar, ndërsa mediat franceze raportuan se tre vagonë janë përmbysur.
Operatori shtetëror hekurudhor francez, SNCF, njoftoi për “ndërprerje të konsiderueshme” të qarkullimit hekurudhor në këtë zonë dhe bëri të ditur se do të vihen në dispozicion autobusë zëvendësues.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


