Saturday, August 22, 2026
spot_img
HomeLajmeTë shtëna në Rahovec | Shoferi ndalet pas sinjaleve me drita, sulmohet...

Të shtëna në Rahovec | Shoferi ndalet pas sinjaleve me drita, sulmohet me armë – i merr pistoletën sulmuesit dhe niset i plagosur për ndihmë

Një ngjarje e rëndë, me të shtëna armësh dhe përleshje fizike, është raportuar në orët e para të 22 gushtit në rajonin e Rahovecit, ku një 47-vjeçar dyshohet se është qëlluar dhe më pas goditur disa herë me kondakun e armës nga një person ende i paidentifikuar.

Rasti ka një dinamikë të pazakontë. Viktima pretendon se, pavarësisht plagosjes, gjatë ballafaqimit ka arritur t’ia marrë armën nga dora sulmuesit, të largohet me veturë dhe ta telefonojë Policinë gjatë rrugës, nga frika se po ndiqej.

Sinjali mëson se viktima është A. Berisha 47 vjeçar..

Gjithçka dyshohet se ka nisur rreth orës 02:20, derisa Berisha po lëvizte në aksin Dobidol–Çifllak.

Sipas deklarimit të tij, një automjet prapa tij kishte nisur t’i jepte sinjale me drita. Berisha është ndalur për të parë se çfarë kërkonte shoferi tjetër.

Në ato momente situata dyshohet se ka eskaluar në të shtëna me armë.

Viktima ka deklaruar se një person ka shtënë tri herë në drejtim të tij. Sipas tij, njëri prej plumbave e ka goditur në pjesën e pasme të kokës, ndërsa dy të shtënat e tjera nuk e kanë kapur.

Por sulmi, sipas deklarimit të 47-vjeçarit, nuk ka përfunduar aty.

I dyshuari dyshohet se është afruar dhe e ka goditur disa herë me kondakun e armës së shkurtër.

Gjatë përleshjes mes tyre, Berisha pretendon se ka arritur t’ia marrë armën nga dora personit që e kishte sulmuar.

I plagosur, ai ka hyrë në veturën e tij dhe është nisur në drejtim të Rahovecit për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Gjatë rrugës ka telefonuar Stacionin Policor në Rahovec dhe ka kërkuar që një patrullë t’i dilte përpara, pasi dyshonte se sulmuesi po e ndiqte me veturë nga pas.

Pas alarmit, dy patrulla policore dhe ekipi i emergjencës janë nisur në drejtim të tij.

Viktima është lokalizuar në fshatin Bellacërkë, prej nga është transportuar nën përcjellje policore në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës për trajtim mjekësor.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe njësia e forenzikës.

Gjatë veprimeve policore është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit MOD. A-80, prodhim spanjoll, pa karikator dhe pa municion.

Sipas informacioneve fillestare, personi që dyshohet se qëndron prapa sulmit ende nuk është identifikuar zyrtarisht. Viktima ka dhënë disa të dhëna mbi personin që dyshon se mund të jetë sulmuesi, të cilat tashmë pritet të verifikohen nga hetuesit.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjakovë, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Lëndim të rëndë trupor”.

Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e motivit dhe rrethanave të plota të sulmit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT