Friday, June 12, 2026
spot_img
HomeLajmeSupremja lë në fuqi gjobën ndaj LVV-së për pjesëmarrjen e të miturve...

Supremja lë në fuqi gjobën ndaj LVV-së për pjesëmarrjen e të miturve në tubime zgjedhore

Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj gjobës prej 6 mijë eurosh të shqiptuar gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Sanksioni ishte vendosur pas ankesave të paraqitura nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili kishte raportuar për pjesëmarrjen e të miturve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV në Podujevë dhe Lipjan.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme vlerësoi se dispozitat e Rregullores Zgjedhore janë zbatuar drejt nga PZAP dhe se përfshirja e të miturve në aktivitete politike bie ndesh me qëllimin e rregullave që synojnë mbrojtjen e fëmijëve nga ekspozimi në procese politike dhe zgjedhore.

LVV kishte argumentuar se rregullorja ndalon vetëm angazhimin aktiv të të miturve nga subjektet politike dhe jo praninë e tyre në aktivitete publike. Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë interpretim, duke theksuar se mbrojtja e interesit më të mirë të fëmijës duhet të jetë parimi udhëheqës në raste të tilla.

Sipas arsyetimit të Supremes, përgjegjësia e subjektit politik nuk zbehet as kur të miturit marrin pjesë të shoqëruar nga prindërit apo me iniciativën e tyre.

Gjykata theksoi gjithashtu se gjatë përcaktimit të masës ndëshkuese janë marrë parasysh pesha e shkeljes, ndikimi i mundshëm në procesin zgjedhor dhe fakti që subjekti politik kishte qenë më parë i njoftuar për obligimet ligjore dhe ishte përballur me raste të ngjashme.

Me këtë vendim, gjoba prej 6 mijë eurosh ndaj Lëvizjes Vetëvendosje mbetet në fuqi dhe procedura gjyqësore konsiderohet e përfunduar.

Po ashtu Gjykata hedhi poshtë ankesën e VV-së për votim me dokumente të skaduara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT