Sot në Prishtinë do të mbahet “Marshi për Liri”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në prag të shpalljes së verdiktit nga Gjykata Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Marshi, i organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, do të nisë në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.
Në mesin e folësve do të jenë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, të cilët do t’u drejtohen pjesëmarrësve.
Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” kanë ftuar edhe liderët e partive parlamentare shqiptare që t’i bashkohen marshit dhe t’u drejtohen qytetarëve. Megjithatë, sipas organizatorëve, pozitivisht i janë përgjigjur ftesës vetëm Hamza dhe Gjini.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është deklaruar nëse do të marrë pjesë në marsh.
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë bërë të ditur detajet e programit dhe folësit që do të marrin pjesë në këtë tubim.
Hoxha ka njoftuar se pjesë e programit do të jenë përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe familjarë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të Marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje. Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit. Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, tha Hoxha.
Ajo ka bërë të ditur se platforma “Liria ka Emër” ka organizuar transport me autobusë nga të gjitha qytetet e Kosovës për qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në marsh.
“Ejani me familjet tuaja, ejani me fëmijët tuaj, ejani me prindërit tuaj, me miqtë tuaj, ejani të gjithë bashkë në Marsh më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, të Marshojmë për çlirimtarët tanë”, tha Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit, duke theksuar se mesazhi i organizatorëve, nga Prishtina deri në Hagë, mbetet i njëjtë: uniteti dhe qëndrimi pranë njëri-tjetrit në një periudhë që e cilësojnë të rëndësishme.
“Prandaj, sot dua t’ju drejtoj një ftesë të gjithë qytetarëve. Bashkohuni me ne më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Mos ejani vetëm, ejani me familjet tuaja, merrni fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat dhe miqtë tuaj, ashtu siç erdhi edhe Eliza. Le të jetë ky Marsh një Marsh qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz. Le të jemi sa më shumë, le të jemi bashkë. Më 12 shtator, ora 14:00, Sheshi ‘Skënderbeu’. Dhe më 15 shtator, nga ora 22:00, takohemi përsëri në Hagë, në natën e pritjes, për të qëndruar së bashku deri në nisjen e seancës së gjyqit”, tha ai.
Marshi pritet të mbledhë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa mbështetje për këtë organizim kanë shprehur edhe një numër i madh i figurave publike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


