Kosova ka kaluar edhe një natë të ngarkuar me përleshje, dhunë në familje, armë, drogë dhe arrestime.
Katër gra u ndaluan në Prishtinë pas sulmit ndaj një të miture në shkollë, tre persona përfunduan në ndalim pas rastit me rreth 1 kilogram marihuanë në Klinë, ndërsa armë u sekuestruan në Obiliq e Shtime.
Në Prishtinë pati edhe një përleshje me mjete të forta, ndërsa raste të dhunës në familje u raportuan në kryeqytet dhe Fushë Kosovë. Në Vushtrri, Policia trajtoi një rast ku një vajzë nën 16-vjeçare po bashkëjetonte me të dashurin e saj.
Sinjali ju sjell përmbledhjen e natës.
Prishtinë – Katër gra ndalohen pas sulmit ndaj të miturës në shkollë
Katër gra janë ndaluar lidhur me sulmin ndaj një të miture në shkollën “Shtefan Gjeqovi” në Prishtinë.
Bëhet fjalë për Saranda Gashin, Kosovare Gashin, Liridona Gashin dhe Teuta Gashin.
Viktima është dërguar në QKUK për trajtim, ndërsa ndaj të dyshuarave është caktuar ndalimi prej 48 orësh. Rasti po hetohet si “Lëndim i rëndë trupor”.
Klinë – Rreth 1 kilogram marihuanë në Audi, tre të ndaluar
Tre persona janë ndaluar në Dollc të Klinës, pasi në një Audi A6 është gjetur rreth 1 kilogram substancë e dyshuar si marihuanë.
Policia ka sekuestruar edhe 1,250 euro, tre telefona dhe dy thika. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Shtime – Dorëzon armët që i mbante që nga viti 1999
Një 57-vjeçar është paraqitur vetë në Polici dhe ka deklaruar se posedonte dy armë zjarri që nga viti 1999.
Në çatinë e një shtëpie janë gjetur një AK-47 dhe një pistoletë, të cilat janë sekuestruar.
Prishtinë – Përleshje me mjete të forta, 19-vjeçari me frakturë
Tre persona janë përfshirë në një përleshje në “Shemsi Mramori”.
19-vjeçari Andi Xhela ka pësuar lëndime të rënda dhe frakturë në dorën e majtë. Të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Obiliq – Pistoletë me 11 fishekë në Audi
Policia ka sekuestruar një pistoletë dhe 11 fishekë në një Audi të ndaluar në Mazgit.
Pronari i armës është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, pasi leja e armës dhe ajo për shenjëtari kishin skaduar.
Vushtrri – Nën 16-vjeçare bashkëjetonte me të dashurin
Policia ka nisur hetim pasi një vajzë nën 16-vjeçare dyshohet se kishte bashkëjetuar prej disa muajsh me të dashurin e saj.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa vajza është kthyer te familja. Rasti po hetohet nga Prokuroria.
Prishtinë – Konflikti për banesën, nëna denoncon djalin
Një grua ka raportuar djalin e saj për presion psikologjik lidhur me një banesë.
I dyshuari e ka mohuar dhunën, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”. Ai është liruar në procedurë të rregullt.
Fushë Kosovë – Bashkëshortët përplasen pas mosmarrëveshjes
Një çift bashkëshortor është përfshirë në një përleshje pas një mosmarrëveshjeje verbale.
Të dy janë intervistuar nga Policia dhe janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet si “Dhunë në familje”.
Skenderaj – 21-vjeçari arrestohet për 1 vit e 6 muaj burgim
Një 21-vjeçar është arrestuar në Krasmirovc të Skenderajt, pasi ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ai është dërguar për vuajtjen e dënimit prej 1 viti e 6 muajsh.
Nata në Kosovë
Përleshje. Dhunë. Drogë. Armë. Arrestime.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


