Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në këtë komunë, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.
Sinani ka deklaruar se Presheva nuk duhet të trajtohet vetëm si një vend që vizitohet kur institucionet qendrore kanë nevojë, ndërsa ka theksuar se çdo investim që përmirëson jetën e qytetarëve është i mirëseardhur.
“Presheva nuk mund të ketë dy standarde”, ka shkruar ajo.
Sinani ka përmendur investimet e realizuara nga Komuna e Preshevës në Mamincë, Strezoc, Svinjishtë dhe vendbanime të tjera, duke theksuar se komuna nuk i ndan qytetarët sipas përkatësisë etnike.
Ajo ka kërkuar që të njëjtin standard barazie ta zbatojnë edhe institucionet qendrore të Serbisë.
“Kemi kërkuar zyrtarisht investime për Shkollën ‘Prof. Ibrahim Kelmendi’, për shkollën në Mamincë, për çerdhen ‘8 Marsi’ dhe për projekte të tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve tanë”, ka deklaruar Sinani.
Duke iu referuar investimeve të paralajmëruara gjatë vizitës së Vuçiqit, ajo ka pyetur pse qytetarët shqiptarë duhet të presin me vite për projekte dhe investime nga institucionet qendrore.
“Nuk kërkojmë që të merret nga njëri për t’i dhënë tjetrit. Kërkojmë të mos merret nga shqiptarët për t’u dhënë të tjerëve”, ka thënë ajo.
Sinani ka theksuar se Presheva është shtëpi e shqiptarëve, serbëve, romëve dhe komuniteteve të tjera dhe se të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë barazi. Nuk kërkojmë më shumë se të tjerët. Kërkojmë të mos marrim më pak”, ka përfunduar ajo, duke shtuar se këtë çështje do ta ngrejë në Preshevë, Beograd, Prishtinë dhe Tiranë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


