Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për fundjavën 13–14 qershor 2026, duke njoftuar kushte të ndryshueshme atmosferike dhe temperatura në rritje.
Sipas institutit, reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin gjatë ditës së djeshme kanë pasur ndikim pozitiv në mjedis dhe sektorë të ndryshëm të jetës, duke përmirësuar lagështinë e tokës, cilësinë e ajrit dhe duke rritur rezervat ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore.
Mbi vendin tonë, nesër do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11°C, ndërsa temperaturat maksimale të ditës do të arrijnë ndërmjet 20 dhe 23°C.
Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1–5 m/s.
Kurse, të dielen parashihet mot me vranësira dhe intervale me diell. Vende-vende vranësirat do të shoqërohen me riga lokale shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 24 deri në 27°C.
Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1–6 m/s.
“Indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i moderuar deri i lartë. Prandaj, rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur ndaj rrezeve të diellit, veçanërisht të dielën nga ora 10:00 deri në 16:00, për të reduktuar rrezikun nga rrezatimi ultraviolet.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


