Friday, May 1, 2026
spot_img
HomeLajmeShkroi në veturën kosovare “Kosova është Serbi”, dënohet një serb në Kroaci

Shkroi në veturën kosovare “Kosova është Serbi”, dënohet një serb në Kroaci

Gjykata e Qarkut në Rjekë të Kroacisë, më 29 prill 2026, ka caktuar masën e paraburgimit për një shtetas 25-vjeçar të Serbisë, i cili dyshohet për veprën penale të dëmtimit të pronës së tjetrit dhe nxitjes publike të dhunës dhe urrejtjes.

Paraburgimi ndaj tij u caktua në mungesë pasi i dyshuari është i paarritshëm për organet e drejtësisë kroate dhe, sipas vendimit të gjykatës, ndodhet në arrati.

Sipas përmbajtjes së vendimit, ngjarja ka ndodhur më 31 gusht 2022, midis orës 00:00 dhe 00:30 në Opati, në rrugën ‘Mareshal Tito’.

“Bëhet fjalë për hapësirën e parkimit të hotelit ‘Kristal’, ku ndodhej automjeti i tipit Audi, me ngjyrë të bardhë dhe targa të Kosovës, në pronësi të një shtetasi të Kosovës. I dyshuari akuzohet se me një markues me ngjyrë të zezë, në kapakun e motorit të makinës ka vizatuar një kryq të rrethuar nga katër shkronja ‘S’ cirilike, ndërsa poshtë tij ka shkruar me alfabet cirilik ‘Kosovo je Srbija’ (Kosova është Serbi). Me këtë veprim, sipas pretendimeve nga procesi, pronarit të automjetit i është shkaktuar një dëm material në vlerë prej rreth 398 eurosh”, ka raportuar media kroate “Fiuman”.

Sipas këtij raportimi, një pjesë veçanërisht rënduese e rastit lidhet me faktin se i dyshuari, sipas dyshimeve të prokurorisë së shtetit, e ka filmuar të gjithë aktin me celular dhe më pas videon e ka publikuar në profilin e tij në Instagram.

Prokuroria vlerëson se përmes këtij publikimi, ai ka bërë të disponueshëm për publikun një përmbajtje që bën thirrje për dhunë ose urrejtje ndaj një grupi njerëzish ose një anëtari të grupit për shkak të përkatësisë së tyre fetare, kombëtare dhe etnike, gjuhës dhe origjinës.

Nga vendimi i gjykatës rezulton se dyshimi i bazuar mbështetet në kallëzimin penal të Drejtorisë Policore të rajonit Primorsko-Goranska, përkatësisht Stacionit Policor të Opatisë, si dhe në provat e mbledhura, mes të cilave janë shënimet zyrtare, fotografitë e automjetit të dëmtuar, pamjet e kamerave të vëzhgimit të hotelit “Kristal”, publikimi nga rrjeti social Instagram dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimit kriminalistik.

Gjykata po ashtu thekson se i dyshuari nuk është gjetur në vendbanimin e paraqitur në Hotel “Opatija”, se nga data 29 gusht 2022 nuk ka shkuar në punë dhe as nuk e ka njoftuar punëdhënësin për mungesën, dhe se akomodimin e ka lënë më 2 shtator 2022.

Po atë ditë, sipas të dhënave nga shkresat e lëndës, siç raporton “Fiuman”, ai ka lënë territorin e Republikës së Kroacisë me transport publik përmes pikës kufitare Stara Gradishka.

“I dyshuari nuk i është përgjigjur as ftesës së prokurorisë së shtetit për marrjen në pyetje për herë të parë në nëntor të vitit 2022. Organet kroate të drejtësisë më pas tentuan të bien në kontakt me të përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, por organi kompetent i Republikës së Serbisë e refuzoi kërkesën. Në shkresat e lëndës thuhet gjithashtu se i dyshuari nuk ka vendbanim të deklaruar në territorin e Serbisë dhe se ndaj tij është lëshuar një urdhër-kërkimi në nivel kombëtar”, u tha në raportimin e medias kroate.

Ndërkaq, masa e paraburgimit mund të zgjasë më së shumti një muaj dhe do të llogaritet nga dita e privimit nga liria.

Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se paraburgimi mund të zëvendësohet me një dorëzani prej 5.000 eurosh, me kusht që i dyshuari të premtojë se nuk do të fshihet, nuk do ta lëshojë vendbanimin pa miratim, nuk do ta pengojë procedurën penale dhe nuk do të kryejë vepër të re penale. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT