Friday, August 14, 2026
spot_img
HomeLajmeSHBA-ja akuzon mbi 40 vende se po ndihmojnë Kinën të shmangë tarifat...

SHBA-ja akuzon mbi 40 vende se po ndihmojnë Kinën të shmangë tarifat amerikane

Shtëpia e Bardhë ka akuzuar më shumë se 40 vende, përfshirë Kanadanë, Meksikën dhe Japoninë, si dhe Bashkimin Evropian, se po ndihmojnë Kinën të shmangë në mënyrë të paligjshme tarifat amerikane duke ridrejtuar mallrat përmes vendeve që përballen me tarifa më të ulëta se Pekini.

Në një raport të titulluar “The Great Transshipment Scam”, Shtëpia e Bardhë pretendon se kjo praktikë ka mundësuar shmangien e tarifave për rreth 60 miliardë dollarë tregti.

Raporte të tjera qeveritare dhe të sektorit privat, të cituara në dokument, e vlerësojnë vëllimin e mallrave të ridrejtuara në një vlerë prej 40 deri në 303 miliardë dollarë.

Peter Navarro, kreu i Zyrës së Shtëpisë së Bardhë për Politikën e Tregtisë dhe Prodhimit, tha se Kina ka përdorur metoda “jashtëzakonisht të sofistikuara” për ridrejtimin e eksporteve që kur Donald Trump vendosi për herë të parë tarifa ndaj saj në vitin 2018.

“Prej vitesh, mashtrimi i madh i transitit i ka lejuar Kinës komuniste të pastrojë eksportet e saj përmes më shumë se 40 vendeve, t’i marrë Thesarit tonë dhjetëra miliarda dollarë dhe të vjedhë pagat e punëtorëve amerikanë”, deklaroi Navarro.

Sipas raportit, diferencat mes tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj vendeve të ndryshme kanë krijuar stimuj për ridrejtimin e mallrave kineze.

Administrata Trump po përpiqet tani të forcojë kontrollet për të parandaluar këtë praktikë.

Navarro tha se agjencia amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit ka nisur përdorimin e një sistemi të mbështetur në inteligjencën artificiale, të quajtur “Detective Border”, për të përcaktuar më mirë përbërjen dhe origjinën e mallrave.

Sipas tij, kontrollet e reja mund t’i sjellin Thesarit të Shteteve të Bashkuara dhjetëra miliarda dollarë të ardhura nga tarifat dhe të krijojnë “mijëra vende të tjera pune për amerikanët”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT