Monday, June 29, 2026
spot_img
HomeLajmeShBA dhe Irani bien dakord të ndalojnë sulmet dhe të rifillojnë bisedimet

ShBA dhe Irani bien dakord të ndalojnë sulmet dhe të rifillojnë bisedimet

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord të ndalin përshkallëzimin e konfliktit, pas shkëmbimit të sulmeve gjatë ditëve të fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat ndërkombëtare, duke cituar një zyrtar amerikan.

Sipas zyrtarit, i cili konfirmoi informacionin për CBS News, anijet do të mund të lëvizin tashmë lirshëm nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndërsa bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit do të vazhdojnë.

Nga ana tjetër, Irani nuk ka komentuar ende raportimet se ka pranuar të ndërpresë sulmet në këtë rrugë strategjike detare.

Më 17 qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi me 14 pika, i cili parashikonte ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, transmeton Klankosova.tv.

Si pjesë e marrëveshjes, Irani ishte zotuar të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare për një periudhë 60-ditore, pa vendosur tarifa.

Megjithatë, armëpushimi u vu në pikëpyetje pas sulmeve të reja nga të dyja palët.

Tensionet u rikthyen të enjten, kur një predhë iraniane goditi një anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit.

Si kundërpërgjigje, gjatë fundjavës SHBA-ja kreu një seri sulmesh ndaj objektivave në Iran.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) deklaroi se operacioni ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj agresionit të vazhdueshëm kundër transportit tregtar.

Të shtunën, Irani reagoi duke lëshuar sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein.

Autoritetet amerikane thanë se raketat nuk arritën objektivat e tyre dhe se nuk pati viktima apo dëme materiale.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.

Ajo u mbyll praktikisht nga Teherani pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit në fund të muajit shkurt.

Ndërkohë, të premten SHBA-ja ndërmjetësoi edhe një marrëveshje kornizë mes Izraelit dhe Libanit, me synimin për të hapur rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme.

Megjithatë, situata në jug të Libanit mbetet e tensionuar.

Udhëheqësi i Hezbollahut e ka kundërshtuar marrëveshjen, duke akuzuar qeverinë libaneze për cenim të sovranitetit të vendit.

Dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur një tunel rreth 200 metra të gjatë në jug të Libanit, i përdorur nga Hezbollahu dhe që, sipas saj, përmbante qindra armë.

Sipas një deklarate të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, Shtetet e Bashkuara ishin informuar paraprakisht për këtë operacion ushtarak.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT