Serbia do të prodhojë dronë luftarakë në mënyrë të përbashkët me Izraelin, citohet të ketë thënë të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb tha se “ne do t’I kemi dronët më të mirë në këtë pjesë të botës”, sipas agjencisë së lajmeve “Tanjug”, transmeton agjencia e lajmeve “Associated Press”. Ai shtoi se dronët nuk do të jenë të lirë, por shumë efikas në shkatërrimin e automjeteve të blinduara, thuhet në raport.
Vuçiqi nuk saktësoi hollësi rreth prodhimit në të ardhmen, sipas raportit. “Ne nuk dimë si të bëjmë dronë siç di Izraeli. Unë jam krenar për të [planin], do ta bëjmë bashkë, do të jetë gjysmë-gjysmë, 50 – 50” – tha presidenti serb.
Sipas tij, Serbia “do ta marrë inovacionin dhe [do t’i arsimojë] njerëzit tanë, të cilët do të jenë në gjendje që ta bëjnë këtë në të ardhmen”.
Prodhuesi shtetëror serb i armëve, “Yugoimport SDPR”, do të hapë një fabrikë dronësh me kompaninë “Elbit Systems” me bazë në Izrael, sipas shërbimit të lajmeve BIRN në Serbi. Në raport thuhet se kompania izraelite do të ketë në pronësi 51 për qind të fabrikës që do të ndërtohet në të ardhmen.
Qeveria e Vuçiqit është munduar që ta forcojë ushtrinë. Serbia më 2024 porositi 12 aeroplanë francezë “Rafale” në përpjekje që ta modernizojë flotën ajrore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


